Newsletter

CONCORDIA Projekte Sociale

CONCORDIA Projekte Sociale Kosovë është organizatë joqeveritare, jofitimprurëse dhe pjesë e rrjetit ndërkombëtar CONCORDIA Social Projects, e përkushtuar për mbështetjen e fëmijëve, të rinjve dhe familjeve në nevojë drejt një jete më të pavarur, të sigurt dhe të përgjegjshme. Në Kosovë, CONCORDIA vepron me fokus të veçantë tek personat dhe komunitetet e prekura nga varfëria, diskriminimi, përjashtimi social dhe margjinalizimi, duke synuar që secili fëmijë dhe i ri të ketë mundësi të zhvillojë potencialin e tij të plotë. Ky qëllim është i përcaktuar edhe në Statutin e organizatës, i cili vendos në qendër ofrimin e shërbimeve të integruara dhe të bazuara në komunitet për fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre.

Puna e CONCORDIA-s në Kosovë zhvillohet kryesisht përmes dy qendrave multifunksionale: Qendrës CONCORDIA Tranzit në Prizren dhe Qendrës CONCORDIA Ali Ibra në Gjakovë. Përmes këtyre qendrave, organizata ofron një qasje të integruar, ku shërbimet arsimore, sociale, psikologjike, familjare dhe aktivitetet për zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve ndërthuren sipas nevojave të përfituesve.

Shërbimet dhe programet e CONCORDIA-s përfshijnë:

  • Edukim dhe mbështetje në mësim, përmes programeve dhe aktiviteteve edukative që ndihmojnë fëmijët në zhvillimin dhe përparimin e tyre në arsim;
  • Edukim në fëmijërinë e hershme, duke krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për zhvillimin dhe përgatitjen e fëmijëve për shkollim;
  • Shërbime sociale dhe familjare, duke mbështetur fëmijët dhe familjet në tejkalimin e vështirësive sociale dhe socio-ekonomike;
  • Mbështetje psikologjike dhe psikosociale, për fëmijët, të rinjtë dhe familjet që përballen me sfida të ndryshme;
  • Këshillim dhe fuqizim të prindërve dhe familjeve, me qëllim forcimin e kapaciteteve të tyre dhe krijimin e një mjedisi më të mirë për zhvillimin e fëmijëve;
  • Programe për të rinjtë, duke përfshirë zhvillimin e aftësive për jetë, fuqizimin, pjesëmarrjen aktive, sportin, teknologjinë, kreativitetin dhe zhvillimin personal e profesional;
  • Mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, përfshirjen sociale dhe krijimin e mundësive të barabarta;
  • Aktivitete kulturore, edukative dhe komunitare, që nxisin pjesëmarrjen, integrimin dhe fuqizimin e fëmijëve, të rinjve dhe komuniteteve.

Këto fusha janë në përputhje me Statutin e CONCORDIA-s, i cili përfshin ndër të tjera mbështetjen mësimore, këshillimin e prindërve, forcimin e familjeve, shërbimet psikosociale, këshillimin social, psikologjik dhe profesional, programet zhvillimore për të rinjtë, edukimin, zhvillimin social, të drejtat e fëmijëve, ndihmën sociale dhe psikologjike dhe përfshirjen sociale.

CONCORDIA beson se mbështetja afatgjatë nuk nënkupton vetëm përgjigje ndaj nevojave të menjëhershme, por krijimin e mundësive që fëmijët, të rinjtë dhe familjet të fuqizohen dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Për këtë arsye, organizata punon në bashkëpunim me komunitetet, institucionet publike, shkollat, organizatat partnere, donatorët dhe aktorë të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Ne shkojmë atje ku nevoja është më e madhe dhe atje ku të tjerët nuk shkojnë.

Deklarata e CONCORDIA-s për mbrojtjen e fëmijëve

CONCORDIA u mundëson fëmijëve ta gëzojnë një fëmijëri të lumtur dhe të shëndetshme. Puna e saj është e lidhur ngushtë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (UNCRC). Të gjitha organizatat e CONCORDIA-s angazhohen bashkarisht për t'i mbrojtur fëmijët nga të gjitha format e dhunës fizike ose mendore, dëmtimit ose abuzimit, neglizhimit, keqtrajtimit apo shfrytëzimit, duke përfshirë abuzimin seksual (sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, 1989, Artikulli 19).

Puna e CONCORDIA -s ka për qëllim t'i mbrojë të gjitha të drejtat e fëmijëve siç përcaktohet në UNCRC, si dhe në legjislacionin kombëtar në lidhje me promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në vendet ku ofrohen shërbimet e saj. Në të gjitha veprimet me dhe për fëmijët CONCORDIA është e angazhuar për t'i mbrojtur ata dhe për të raportuar e përgjigjur ndaj çdo abuzimi të pretenduar. Gjithashtu, CONCORDIA merr të gjitha masat që parashihen në politikat dhe procedurat e brendshme kombëtare, pa marrë parasysh burimin e referimit dhe kryesin e dyshuar.

Politika miqësore për fëmijët

Politika e Mbrojtjes së Fëmijëve - Versioni i miqësor për fëmijët 

CONCORDIA ka përpiluar Politikën e saj për Mbrojtjen e Fëmijëve ngase dëshiron që fëmijët trë jenë të sigurt dhe të mbrojtur. Ky dokument spjegon çdonjërit, se çfarë apo se si duhet të veprohet për të respektuar të drejtat e tyre!

 

Duke zhvilluar dhe zbatuar Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve, CONCORDIA ndërmerr të gjitha masat lidhur me promovimin që çdo formë e dhunës ndaj fëmijëve është e papranueshme.

Shtetet ku CONCORDIA operon

DHURO NGA DIASPORA!